Qendra e Fibrozës Cistike në Klinikën universitare për sëmundje të fëmijëve në Shkup dy ditët e fundit priti në takim ekipin mjekësor nga Qendra e Fibrozës Cistike në Klinikën Universitare Charité në Berlin. Si pjesë e një projekti binjakëzimi nën kujdesin e Shoqatës Evropiane të Fibrozës Cistike, pulmonologë pediatër, infermierë të specializuar, fizioterapistë dhe nutricionistë nga të dy ekipet e udhëhequr nga Doc. Dr. Valentina Cvejoska Çolakovska dhe Prof. Dr. Mirjam Stahl, do të kenë mundësinë të përcaktojnë sfidat e ardhshme në diagnostikimin e hershëm, trajtimin modern dhe monitorimin e pacientëve me fibrozë cistike, të shkëmbejnë përvoja dhe të thellojnë partneritetin në periudhën e ardhshme.
Drejtori i Klinikës, Dr. spec. Rexhep Memedi, së bashku me ekipet, u takua me Ministrin e Shëndetësisë Prof. Azir Aliu, si dhe me Sekretarin shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Dr. Besim Memedi.
Ata konfirmuan angazhimin e tyre për të ndjekur trendet dhe udhëzimet më të fundit për trajtimin e pacientëve me fibrozë cistike. Bashkëpunimi ndërkombëtar është i rëndësishëm, veçanërisht kur ofron edukim dhe shkëmbim përvojash të stafit mjekësor në qendra me famë botërore.




