Sot në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, në prani të Ministres së Arsimit Prof. Vesna Janevska, Ministrit të Shëndetësisë Prof. Azir Aliu dhe kryetares së OJQ-së SANO znj. Marija Vuk, u promovua projekti – Arsimi Formal për pëmijët në spital.
Për herë të parë, po implementohet arsimi formal për fëmijët që janë në një qëndrim më të gjatë në spital ose po trajtohen në shtëpi për shkak të gjendjeve të rënda shëndetësore – siç janë sëmundjet malinje dhe të tjera.
Drejtori i Klinikës për sëmundje të fëmijëve, Dr. Rexhep Memedi, shprehu kënaqësi të madhe që Klinika është pjesë e këtij momenti të rëndësishëm për fëmijët në spital, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje për Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shoqatën SANO për këtë hap historik në aspektin e arsimimit të nxënësve në spital.
Arsimi nuk është vetëm një mjet mësimi, por edhe një mjet kyç për stabilitetin emocional dhe ruajtjen e vetëbesimit të fëmijëve, prandaj përfshirja e fëmijëve nga Spitali në arsimin formal do të thotë gjysma e shëndetit, sepse shëndeti i mirë mendor tek këta pacientë të vegjël do të thotë se ata shumë më lehtë dhe më të motivuar do ta kalojnë rrugën afatgjatë të trajtimit.
Në emër të të gjithë stafit, nxënësve në spital u urojmë suksese në mësime, ndërsa ne do të bëjmë çmos që t’i ndihmojmë ata së pari ta mposhtin sëmundjen dhe më pas të mësojnë numrat dhe shkronjat, tha drejtori Memedi.






