KOMPANIA MAKSTILME NJË INVESTIM PREJ 16 MILION DENARËVE RENOVOI PLOTËSISHT REPARTIN E ONKOLOGJISË TË KLINIKËS SË SËMUNDJEVE TË FËMIJËVE

Shkup, 07.04.2022 – Sot, me rastin e 7 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit, drejtoresha medicinale e Klinikës së sëmundjeve të fëmijëve D-r Aspazija Sofijanova dhe drejtori ekonomik m-r Alajdin Memedi pritën një delegacion qeveritar të përbërë nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe ministri i shëndetësisë Bekim Sali, të cilët ishin pjesë e ceremonisë së lëshimit në përdorim të Repartit të Onkologjisë, i rinovuar tërësisht nga kompania MAKSTIL, me një investim prej 16 milionë denarëve, më i madhi që ka pasur ndonjëherë klinika.

Drejtoresha Aspazija Sofijanova falënderoi partnerët nga Makstil, duke theksuar se ky investim është sa material aq edhe human. Sofijanova apeloi që ky shembull i Makstil-it të ndiqet edhe nga kompani të tjera, në mënyrë që Klinika për sëmundje të fëmijëve të pajiset sa më shumë.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Makstil-it, Dimitar Cvetkovski në ceremoni tha se renovimi i këtij reparti është përgjigje ndaj nevojës për ofrimin e një ambienti modern dhe të sigurt për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për trajtim nga kanceri dhe është pjesë e përgjegjësisë shoqërore të korporatës, që është një nga prioritetet e Makstil-it.

Kryeministri Kovaçevski investimin e Makstil-it e vlerësoi si donacionin më të vlefshëm deri më tani në shëndetësi. Ky Repart i Onkologjisë është një shpresë e madhe për fitore për të gjithë fëmijët – heronj, të cilët përballen me sëmundje tinëzare malinje. Qëllimi është që të vazhdojmë të jemi pjesë e trendit që tregon se kanceri mund të mposhtet, përmes zbulimit të hershëm, reagimit në kohë dhe trajtimit të duhur, tha kryeministri Kovaçevski.

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali e vlerësoi donacionin nga Makstil si thelbësor për kujdesin dhe trajtimin onkologjik të pacientëve të rinj në vend dhe më shumë se përgjegjësi sociale. Sali tha se ky veprim flet për vetëdijen e vërtetë të një kompanie për rolin dhe funksionin e saj në shoqëri dhe komunitet.

Klinika për sëmundje të fëmijëve falënderoi donatorin Makstil dhe delegacionin qeveritar për mbështetjen e vazhdueshme, ndërkohë u ndau atyre mirënjohje.

Donacioni prej 16 milionë denarë përfshin instalimin e sistemit të ri të ventilimit dhe sistemit të ri për gazrat teknike, janë renovuar të gjitha dhomat e spitalit dhe dhomat për personelin mjekësor, është rinovuar instalimi elektrik, si dhe një pjesë e furnizimit me ujë, rrjeti i kanalizimeve, ndërsa është vendosur dysheme e re mjekësore dhe e gjitha kjo në një sipërfaqe totale prej 400 metra katrorë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.